Dita e Evropës, 9 Maji, u shënua sot në Kosovë me një sërë aktivitetesh që sollën art, kulturë dhe një afrim më të madh të publikut me punën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Festimet në Prishtinë nisën me ekspozitën “Me Art festojmë Evropën”, ku u prezantuan punimet e krijuara nga të rinj dhe të reja të Kosovës gjatë një punëtorie me artistin Jakup Ferri. Ekspozita u hap nga Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, e cila mirëpriti të ftuarit, përgëzoi artistët e rinj dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian ndaj kulturës, edukimit dhe rinisë në Kosovë.
Festimet vazhduan në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku u mbajt panairi i Team Europe. Në këtë aktivitet u bënë bashkë përfaqësues të Shteteve Anëtare të BE-së, iniciativa dhe projekte të Bashkimit Evropian, si dhe biznese dhe organizata që kanë përfituar nga mbështetja e BE-së, të cilat mirëpritën qytetarët dhe prezantuan nga afër punën e tyre, ndikimin që kanë, si dhe mundësitë që vazhdojnë të krijojnë.
Duke folur për mbështetjen afatgjatë të Bashkimit Evropian për Kosovën, në hapjen e panairit Team Europe, Eva Palatova tha:
“Bashkimi Evropian ka qenë pranë Kosovës që nga viti 1999, pra tashmë bëhen mbi 25 vjet mbështetje dhe bashkëpunim, mbështetje për rindërtim dhe për reforma. Ne kemi mbështetur Kosovën me mbi 3.7 miliardë euro për transformimin e saj dhe, në të njëjtën kohë edhe për reformat që e afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian.”
Edhe në Mitrovicën e Veriut, Dita e Evropës u shënua me një program aktivitetesh, përfshirë ekspozitën “Me Art festojmë Evropën” dhe një pasdite festive, ku fëmijët morën pjesë në aktivitete kreative në Këndin e Fëmijëve të BE-së, ndërsa sheshi u mbush me gjallëri përmes garave me pikado, karaokes me këngë të Eurovizionit dhe sfidave të Lojërave Pa Kufi.
Festimet e sotme për Ditën e Evropës në mbarë Kosovën do të përmbyllen sonte me koncerte në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut. Në Prishtinë, programi do të sjellë Vesa Lumën dhe Jehona Sopin, ndërsa në Mitrovicën e Veriut publikut do t’i bashkohen Rinato band dhe legjendarët Leb i Sol. Shënimi i Ditës së Evropës do të vazhdojë edhe gjatë gjithë muajit maj me ngjarje të tjera.
