[location-weather id="860"]

Anibar përtej javës së festivalit: vullnetarët, animatorët dhe puna që vazhdon gjatë gjithë vitit

“Kur e shoh Anibarin sot, kam ndjesinë se jemi shumë afër vizionit që kishim kur e nisëm para 17 vitesh”.

Kështu e përshkruan Vullnet Sanaja, drejtor ekzekutiv i Anibarit, rrugëtimin e festivalit ndërkombëtar të animacionit që mbahet çdo verë në Pejë dhe që sivjet shënoi edicionin e 17-të.

Sipas tij, synimi që në fillim nuk ishte vetëm te krijimi i një festivali që do të sillte filma të animuar në qytet. Ideja ishte që rreth festivalit të ndërtohej një mjedis ku animacioni të mësohej, të prodhohej dhe të zhvillohej gjatë gjithë vitit.

“Atëherë ëndërronim jo vetëm një festival, por një ekosistem të animacionit: një festival, një studio animacioni dhe një revistë. Gjatë këtyre viteve ndërtuam festivalin, dy vitet e fundit kemi zhvilluar Anibar Studio, ndërsa vitin e kaluar lindi edhe revista Anibar falë angazhimit të artistëve”, tha Sanaja.

Pas 17 edicionesh, Anibari nuk kufizohet më vetëm në javën kur Peja mbushet me filma, artistë, koncerte dhe vizitorë. Krahas festivalit, ndër vite janë krijuar Akademia e Animacionit, studioja dhe revista, ndërsa është zhvilluar edhe programi i Kinemasë “Jusuf Gërvalla”.

Rritja e Anibarit ka ecur krahas zhvillimit të skenës së animacionit në Kosovë.

Kur festivali nisi, pothuajse nuk kishte një komunitet të organizuar animatorësh. Mundësitë për edukim në këtë fushë ishin të pakta, mungonin hapësirat për bashkëpunim dhe kishte shumë pak mbështetje për prodhimin e filmave të animuar.

Sot në Kosovë ka autorë, studio dhe profesionistë që po punojnë në projektet e tyre, ndonëse skena e animacionit është ende në konsolidim dhe ka shumë punë për t’u bërë.

“Vetë festivali ka ndryshuar shumë. Është rritur në përmasa, ka fituar hapësira të reja, ka sjellë gjithnjë e më shumë artistë e profesionistë ndërkombëtarë dhe, mbi të gjitha, ka kontribuar në krijimin e një komuniteti të animacionit në Kosovë”, tha Sanaja.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces, sipas tij, e ka pasur Anibar Animation Academy, përmes së cilës janë trajnuar dhe mbështetur animatorë të rinj. Me kalimin e viteve janë krijuar edhe iniciativa si Anibar Pro dhe Anibar Studio, të cilat i ndihmojnë autorët t’i çojnë përpara projektet e tyre dhe të lidhen me industrinë ndërkombëtare.

Një pjesë e kësaj pune është bërë e mundur falë mbështetjes së Bashkimit Evropian.

Gjatë edicionit të sivjetmë, disa aktivitete u organizuan me financim të BE-së. Një prej tyre ishte punëtoria “Mixed Media Animation”, ku fëmijët ndërthurën fotografinë, vizatimin, plastelinën dhe kolazhin me animacionin stop-motion.

 

Foto: Arkiva Personale e Anibar-it

Për Sanajën, rëndësia e kësaj mbështetjeje nuk kufizohet vetëm te aktivitetet që zhvillohen gjatë festivalit.

“Mbështetja e Bashkimit Evropian ka qenë shumë e rëndësishme sepse na ka mundësuar të mendojmë përtej festivalit dhe të ndërtojmë programe që funksionojnë gjatë gjithë vitit”, tha ai.

Një prej rezultateve që Sanaja veçon është programi i rregullt në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

“Një nga rezultatet më të dukshme është programi i rregullt në Kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’, e cila sot është një nga hapësirat më të rëndësishme kulturore në Pejë. Përmes saj organizohen shfaqje filmash, programe edukative, diskutime dhe aktivitete të tjera që e mbajnë jetën kulturore aktive gjatë gjithë vitit”, tha Sanaja.

Mbështetja e BE-së ka përfshirë edhe punëtori, trajnime dhe programe për të rinjtë, si dhe partneritete me artistë e organizata nga Kosova, rajoni dhe vende të tjera të Evropës.

Këto bashkëpunime kanë sjellë rezidenca artistike, programe shkëmbimi, bashkëprodhime dhe lidhje profesionale që kanë vazhduar edhe pas përfundimit të projekteve.

Vetë festivali është ndërtuar nga vullnetarët, ndërsa disa prej atyre që iu bashkuan Anibarit në këtë mënyrë sot mbajnë role kyçe brenda organizatës.

“Ka shumë histori të tilla. Në fakt, kjo është një nga gjërat që na bën më krenarë. Shumë njerëz kanë ardhur fillimisht si vullnetarë, pjesëmarrës në punëtori apo vizitorë të festivalit dhe sot punojnë në animacion, film apo në sektorin e kulturës”, tha ai.

Foto: Arkiva Personale e Anibar-it

Sipas Sanajës, ndikimi i Anibarit nuk përfundon kur mbyllen kinematë dhe largohet publiku. Për shumë të rinj, festivali është vendi ku fitojnë përvojë, krijojnë kontakte dhe nisin rrugëtimin e tyre profesional.

Gjatë javës së festivalit, njerëzit rikthehen në kinematë dhe hapësirat publike të Pejës. Koncertet dhe aktivitetet e Anibarit bëhen vende takimi, bisede dhe diskutimi, në një kohë kur një pjesë gjithnjë e më e madhe e përditshmërisë kalon para ekraneve.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme që mbetet është mirëqenia që kultura krijon në një komunitet. Arti nuk ofron vetëm argëtim; ai hap perspektiva të reja, sfidon mënyrën se si mendojmë dhe krijon hapësira për reflektim, dialog dhe diskutim”, tha Sanaja.

Gjatë viteve, disa të rinj kanë vendosur të qëndrojnë ose të rikthehen në Pejë për të jetuar dhe krijuar. Edhe grupi që e nisi Anibarin u kthye nga Prishtina, me bindjen se qyteti kishte potencial të bëhej një qendër e rëndësishme kulturore.

Foto: Akriva Personale e Anibar-it

“Shpresoj që Anibari t’u ketë dhënë të rinjve besimin se nuk është e domosdoshme të largohesh për të krijuar diçka me vlerë. Mund të ndërtohen gjëra të rëndësishme edhe këtu, duke bashkëpunuar me komunitetin dhe duke qenë të lidhur me botën”, tha ai.

Edicioni i sivjetmë nuk është ndërtuar rreth një teme të vetme. Sanaja thotë se temat dalin vetvetiu nga filmat, artistët dhe diskutimet gjatë festivalit.

Filmat e përzgjedhur prekin tema personale e intime, por edhe çështje sociale, politike dhe mjedisore. Së bashku, ata nxisin biseda që i japin secilit edicion karakterin e vet.

Hapi i radhës është forcimi i mëtejshëm i skenës së animacionit, në mënyrë që më shumë filma të zhvillohen dhe të prodhohen në Kosovë. Synimi është gjithashtu që talentet vendore të vazhdojnë të lidhen me profesionistë dhe partnerë nga jashtë.

KEK reagon ndaj raportimeve për tregtimin e tepricave të energjisë: Interpretimet për rolin e kryeshefit janë të pabazuara

Të ngjajshme

KEK reagon ndaj raportimeve për tregtimin e tepricave të energjisë: Interpretimet për rolin e kryeshefit janë të pabazuara