Qyteti i Pejës është sërish i mbushur me kreativitet, pasi ka nisur edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar, duke bashkuar regjisorë, artistë, krijues të rinj dhe adhurues të animacionit nga Ballkani Perëndimor, Evropa dhe më gjerë. Gjatë shtatë ditëve, festivali po prezanton qindra filma të animuar, masterklasa, ekspozita, diskutime dhe aktivitete kulturore, duke forcuar më tej reputacionin e Anibarit si një prej festivaleve më të rëndësishme në rajon, kushtuar animacionit, shprehjes artistike dhe dialogut kulturor.
Shumë më tepër se një festë e filmit të animuar, Anibar është shndërruar në një platformë ku kreativiteti ndërthuret me angazhimin shoqëror, aktivizmin rinor dhe bashkëpunimin rajonal. Duke lidhur talentet e reja me artistë të njohur ndërkombëtarisht dhe duke krijuar mundësi për mësim, bashkëpunim dhe shkëmbim kulturor, festivali vazhdon të forcojë skenën kreative të Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm në skenën kulturore lokale, si përmes përmbajtjes që krijojmë, ashtu edhe përmes strukturave, ideve dhe mundësive që kemi ndërtuar brenda komunitetit të animacionit”, thotë Vullnet Sanaja, themelues i Festivalit të Animacionit Anibar.
“Si organizatë e udhëhequr nga të rinjtë, kemi kontribuar gjithashtu në skenën e pavarur kulturore të Kosovës duke iu qasur ndryshe organizimit të ngjarjeve dhe aktiviteteve. Kjo na ka dhënë lirinë të eksperimentojmë, të sfidojmë barrierat ekzistuese dhe të mbetemi të hapur ndaj ideve dhe mundësive të reja. Kemi ndihmuar që Kosova dhe Peja të marrin më shumë vëmendje ndërkombëtare duke krijuar lidhje me artistë, organizata dhe publik nga vende të ndryshme, ndërsa kemi inkurajuar vizitorët të vijnë dhe të rikthehen në qytetin tonë.”
Ky vizion mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian, i cili përmes projektit “Fostering Sustainable Partnerships and Dialogue: Arts and Culture Collaboration between Kosovo and Serbia”, krijon mundësi për të rinjtë, promovon dialogun ndërkulturor dhe inkurajon bashkëpunimin më të ngushtë në rajon përmes kulturës dhe industrive kreative.
“Mbështetja e Bashkimit Evropian na ka ndihmuar të forcojmë lidhjet ndërkombëtare të festivalit, të zhvillojmë prodhime artistike dhe të trajtojmë çështje më të gjera kulturore e shoqërore. Këto iniciativa kanë përfshirë projekte që promovojnë përdorimin më të mirë të hapësirave publike sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe projekte që kanë bashkuar artistë nga Kosova dhe Serbia për të bashkëpunuar dhe bashkëprodhuar përtej ndasive të politikës së përditshme”, shton Sanaja.
Në bashkëpunim me WeBalkans, festivali organizoi tre punëtori për fëmijë të moshës 10–14 vjeç, të udhëhequra nga pesë Ambasadorë të Rinj Evropianë (Young European Ambassadors), si dhe një instalacion interaktiv lëvizës me lojëra dhe aktivitete të zhvilluara nga ambasadorët dhe mysafirët e festivalit.
“Ishte një kënaqësi e veçantë të udhëhiqja punëtorinë e Departamentit të Edukimit të Anibarit. Pjesëmarrësit u përfshinë aktivisht në diskutime mbi sfidat që hasin në sistemin arsimor. Edhe pse fokusi ishte te sfidat, ata propozuan menjëherë edhe zgjidhje, duke dëshmuar mendim kritik dhe aftësi udhëheqëse. Ishte frymëzuese të shihje të rinjtë që identifikojnë mundësitë për ndryshim pozitiv dhe veprojnë për t’i realizuar ato”, tha Ena Hajdarevic, Ambasadore e Re Evropiane nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Nëse shpresa do të kishte një tingull, ai do të ishte zëri i një salle plot me fëmijë që ndajnë idetë e tyre. Kjo punëtori dëshmoi se arsimi zhvillohet më mirë aty ku dëgjohet kureshtja dhe imagjinata është e lirë”, shtoi Esti Piranej, Ambasadore e Re Evropiane nga Shqipëria.
Një nga aktivitetet më të veçanta të festivalit ishte edhe punëtoria katërditore kreative, e organizuar me mbështetjen e WeBalkans, ku pjesëmarrësit e rinj kombinuan fotografinë, animacionin stop-motion dhe rrëfimin vizual. Pasi fotografuan detaje interesante nga hapësirat e festivalit, ata i shndërruan fotografitë në skena të animuara duke përdorur plastelinë, prerje letre, vizatime dhe kolazhe, duke eksploruar forma të reja të tregimit përmes kreativitetit dhe bashkëpunimit.

“Festivali Anibar është një shembull i fuqishëm se si mbështetja e Bashkimit Evropian për kulturën, industritë kreative, arsimin dhe rininë kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin lokal. Festivali tregon se si kreativiteti, animacioni, rrëfimi dhe angazhimi qytetar po ndihmojnë në formësimin e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor. Mesazhi ynë për të rinjtë krijues është i qartë: kjo ka të bëjë me ju, kreativitetin tuaj, idetë tuaja dhe të ardhmen tuaj. Bashkimi Evropian qëndron pranë brezit të ri të krijuesve dhe rrëfimtarëve”, tha Raluca Costache, udhëheqëse e Programit WeBalkans.
Regjisori kosovar Durim Klaiqi vlerësoi rolin e festivalit në ndërtimin e urave të bashkëpunimit në rajon.
“Festivale si Anibar janë pika të rëndësishme të shkëmbimit kulturor, sidomos brenda rajonit. Ato krijojnë hapësirë për dialog përmes filmit, si për krijuesit ashtu edhe për publikun. Gjatë viteve, Anibari ka bërë një punë të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe promovimin e animacionit në Kosovë, duke e shndërruar njëkohësisht vendin në një destinacion për shumë kineastë dhe animatorë nga rajoni. Filmi mbetet një nga format më të fuqishme për të komunikuar histori, shqetësime dhe përvoja njerëzore në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këto shkëmbime kulturore janë thelbësore për ndërtimin e dialogut, mirëkuptimit dhe afrimit mes komuniteteve në Ballkan.”
Ndër pjesëmarrësit e këtij viti ishte edhe regjisori serb Vojin Vasović, i cili prezantoi serialin e tij të animuar “Nome Is an Island”, një histori që trajton dhunën mes bashkëmoshatarëve dhe ciklin e zemërimit që shpesh lind pas përjetimit të padrejtësive.
“Festivale si Anibar janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse janë bërë vende të rralla takimi për kineastët dhe publikun që vlerësojnë kinemanë e pavarur dhe atë autoriale. Vazhdimësia e festivalit dëshmon për qëndrueshmërinë e punës kreative në rajon, ndërsa njëkohësisht krijon një platformë të domosdoshme për filmat e animuar, të cilët vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuar në shpërndarjen tradicionale në Ballkan”, theksoi Vasović.
Më shumë se një festival, Anibar vazhdon të frymëzojë një brez të ri krijuesish, duke dëshmuar se kultura, bashkëpunimi dhe imagjinata kanë fuqinë t’i afrojnë njerëzit në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe iniciativës WeBalkans, festivali po krijon mundësi të reja që të rinjtë të mësojnë, të lidhen me njëri-tjetrin dhe t’i shndërrojnë idetë e tyre kreative në realitet.