Letra me ngjyra, plastelina, lapsat dhe fotografitë e para mbushën tavolinat të hënën në Pejë, në ditën e parë të punëtorisë “Mixed Media Animation”. E organizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, punëtoria është një nga aktivitetet e para të edicionit të 17-të të Festivalit të Animacionit Anibar.
Rreth 15 vajza dhe djem të moshës 10 deri në 15 vjeç do t’i kalojnë pesë ditët e punëtorisë duke mësuar se si një fotografi, një vizatim apo një copë plasteline mund të shndërrohet në pjesë të një tregimi të animuar.
Mbështetja e Bashkimit Evropian për këtë punëtori është pjesë e një angazhimi më të gjerë për kulturën, industritë kreative dhe krijimin e mundësive për të rinjtë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Në frymën e mesazhit “EU With YOU”, kjo mbështetje synon t’i sjellë këto mundësi më pranë njerëzve dhe komunitetit. Në Pejë, ajo po u mundëson fëmijëve të përfshihen në edukim artistik dhe të mësojnë drejtpërdrejt nga profesionistë të animacionit.
Në këtë punëtori, përvoja paraprake nuk kërkohet. Pikënisja është kureshtja, ndërsa pjesa tjetër ndërtohet përmes lojës, eksperimentimit dhe punës së përbashkët në grup.
Që prej 17 vitesh, Anibari gjallëron verën në Pejë. Festivali, i cili lindi si nismë e disa të rinjve të qytetit, është rritur ndër vite, duke sjellë filma, artistë dhe disa nga profesionistët më të njohur të animacionit nga rajoni dhe e gjithë bota.
Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e punës së tij vazhdon të zhvillohet larg ekranit të madh, në hapësirat ku fëmijët dhe të rinjtë nuk janë vetëm shikues, por provojnë vetë si krijohet një animacion.
Në ditën e parë, pjesëmarrësit u njohën me procesin që do ta ndjekin deri më 17 korrik. Ata do t’i eksplorojnë hapësirat e festivalit përmes fotografisë dhe videos, duke kërkuar kënde, objekte, tekstura dhe hollësi që zakonisht kalojnë pa u vërejtur.
Fotografitë e realizuara do të shërbejnë si bazë për tregimet e tyre të animuara. Mbi to, fëmijët do të shtojnë vizatime, copëza letre, kolazhe, plastelinë, ngjyra dhe elemente të tjera, duke krijuar personazhe dhe skena që më pas do t’i animojnë përmes teknikës stop-motion.
Disa prej fëmijëve e njihnin njëri-tjetrin nga aktivitetet e edicioneve të kaluara të Anibarit. Për ta, kthimi në festival nuk ishte vetëm një takim me animacionin, por edhe me shokët që kishin njohur pikërisht në këto punëtori.
Kjo vazhdimësi tregon edhe ndikimin që aktivitete të tilla mund të kenë përtej disa ditëve të festivalit. Fëmijët fitojnë njohuri të reja, krijojnë miqësi dhe kthehen në një hapësirë ku ndihen të lirë t’i shprehin idetë e tyre.
Albana Hajdini, e cila e udhëheq punëtorinë së bashku me animatoren Leonita Thaqi, tha se synimi është që pjesëmarrësit të eksperimentojnë pa u frikësuar se mund të gabojnë.
“Në këtë punëtori nuk ka asgjë që mund ta bësh gabim. Qëllimi është që fëmijët të jenë kreativë, t’i eksplorojnë idetë e tyre dhe, njëkohësisht, të kënaqen”, tha Hajdini.
Sipas saj, gjatë punëtorisë fëmijët do të përdorin materiale dhe teknika të ndryshme, ndërsa secili do të punojë në ritmin e vet. Në fund, të gjitha pjesët do të bashkohen në një film të përbashkët.
“Mbështetja e BE-së për këtë punëtori, por edhe për punëtori të tjera gjatë Anibarit, është një mundësi e mirë që pjesëmarrësit të mësojnë më shumë për animacionin nga profesionistët”, përfundoi Hajdini.
Në Pejë, kjo mbështetje shihet drejtpërdrejt te fëmijët që po mësojnë nga profesionistë dhe po i kthejnë idetë e tyre në krijime konkrete. Për Anibarin, programe të tilla nuk janë vetëm një hyrje në botën e filmit të animuar. Ato u japin pjesëmarrësve shkathtësi, vetëbesim dhe mundësinë që animacionin e tregimin vizual t’i shohin si fusha me të cilat mund të vazhdojnë të merren.
Duke i sjellë këto mundësi në Pejë, mbështetja e BE-së për kulturën dhe industritë kreative lidhet edhe me zhvillimin lokal. Krijimtaria e të rinjve në Anibar është pjesë e një të ardhmeje evropiane që po ndërtohet përmes kulturës, edukimit dhe bashkëpunimit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.