Pas një dite me aktivitete të shumta në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, festimet u përmbyllën mbrëmjen e së shtunës me dy koncerte të organizuara nga Bashkimi Evropian në Kosovë, njëri në Prishtinë dhe tjetri në Mitrovicën e Veriut.
Në Prishtinë, koncerti i mbajtur në sheshin “Zahir Pajaziti” u hap nga Edona Reshitaj, ndërsa më pas publiku pati mundësi të ndjekë performancat live të Jehona Sopit dhe Vesa Lumës. Dy këngëtaret u rikthyen para publikut me disa nga hitet e tyre më të njohura, duke e mbyllur mbrëmjen me muzikë dhe atmosferë festive në qendër të qytetit.
Në Mitrovicën e Veriut, mbrëmja muzikore nisi me bendin lokal Rinato, ndërsa më pas në skenë u ngjit bendi legjendar Leb i Sol, të cilët me këngët e tyre ikonike sollën para publikut një mbrëmje plot ritëm dhe energji.
Me koncertet në Prishtinë dhe Mitrovicën e Veriut u mbyll programi i aktiviteteve të 9 Majit, ndërsa publiku i të gjitha moshave, familje e të rinj, patën mundësinë të shijojnë falas nga afër muzikën dhe artistët e tyre të preferuar. Shënimi i Ditës së Evropës do të vazhdojë edhe gjatë gjithë muajit maj me ngjarje të tjera.
