Një kondicioner në klasë. Pushime verore më të gjata. Më pak bullizëm dhe ndalimi i dhunës.
Dëshirat dhe shqetësimet e fëmijëve ishin të ndryshme, por të gjitha gjetën vend në “pemën e zgjidhjeve”, të cilën ata e krijuan gjatë një aktiviteti me Ambasadorët e Rinj Evropianë në Festivalin e Animacionit Anibar në Pejë. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të punëtorisë “Mixed Media Animation”, të financuar nga Bashkimi Evropian.

Disa prej përgjigjeve sollën buzëqeshje në dhomë. Të tjerat e kthyen bisedën te problemet që fëmijët i hasin në shkollë dhe në përditshmërinë e tyre. Megjithëse të vegjël në moshë, ata dinin t’i dallonin qartë gjërat që do të donin të ndryshonin.
Por nuk u ndalën vetëm te gjërat që nuk shkonin. Krahas shqetësimeve, nisën të propozonin edhe zgjidhje, duke treguar se si do të donin të ishin shkolla dhe mjedisi ku kalojnë një pjesë të madhe të ditës.
Rreth 15 fëmijë të moshës 10 deri në 15 vjeç po mësojnë në punëtorinë “Mixed Media Animation”, të organizuar në kuadër të edicionit të 17-të të Anibarit, të ndërthurin fotografinë, vizatimin, plastelinën dhe materiale të tjera me animacionin stop-motion.
Punëtoria ishte sfondi krijues i një angazhimi më të gjerë që Ambasadorët e Rinj Evropianë zhvilluan me fëmijët. Gjatë ditëve të aktivitetit, ata hapën biseda për tema të ndryshme, duke u lënë pjesëmarrësve hapësirë të flisnin për dëshirat, shqetësimet dhe ndryshimet që duan të shohin përreth tyre.
Aktivitetet do të vazhdojnë deri më 17 korrik, ndërsa vetë fëmijët do të zgjedhin temat që duan t’i trajtojnë. Çdo ditë, tema e diskutimit do të përcaktohet nga grupi dhe nga çështjet që pjesëmarrësit e vegjël i konsiderojnë të rëndësishme.
Në sesionin kushtuar arsimit, në të njëjtën pemë u vendosën kërkesa të thjeshta, si një klasë më e freskët dhe pushime më të gjata, krahas thirrjeve për ndalimin e bullizmit dhe dhunës.
Esti Piranej, Ambasadore e Re Evropiane nga Shqipëria dhe një nga udhëheqëset e sesionit, tha se atmosfera në dhomë tregoi sa shumë kanë për të thënë fëmijët kur u krijohet hapësira e duhur.
“Sikur shpresa të kishte zë, do të tingëllonte si një dhomë plot me fëmijë që ndajnë idetë e tyre. Punëtoria e sotme tregoi se të nxënit zhvillohet më së miri aty ku kureshtja dëgjohet dhe imagjinata lihet e lirë”, tha Piranej.
Ena Hajdarević, Ambasadore e Re Evropiane nga Bosnja dhe Hercegovina, tha se pjesëmarrësit u përfshinë aktivisht në diskutimin për sfidat me të cilat përballen në sistemin arsimor.
“Edhe pse sesioni u përqendrua te sfidat, ata nisën vetë të propozonin zgjidhje, duke treguar mendim kritik dhe gatishmëri për të marrë përsipër role udhëheqëse”, tha Hajdarević.
Sipas saj, ishte frymëzuese t’i shihje fëmijët teksa kuptonin se ndryshimi pozitiv është i mundur dhe mendonin se si mund të kontribuonin edhe vetë.
Piranej dhe Hajdarević ishin dy nga Ambasadorët e Rinj Evropianë të përfshirë në aktivitetet e Anibarit. Përmes këtij rrjeti të Bashkimit Evropian, të rinjtë nga vendet e Ballkanit Perëndimor lidhen me njëri-tjetrin dhe angazhohen në çështje me rëndësi për komunitetet e tyre.
Në Pejë, ky bashkëpunim rajonal mori formën e një bisede të drejtpërdrejtë me fëmijët. Krahas krijimit të personazheve dhe tregimeve të animuara, ata u ftuan të flisnin edhe për realitetin përreth tyre dhe për ndryshimet që do të donin të shihnin.
Aktiviteti lidhet me mesazhin “EU With YOU”, duke e kthyer mbështetjen e Bashkimit Evropian në një përvojë konkrete për komunitetin; një hapësirë ku fëmijët krijojnë, mësojnë dhe flasin për çështjet që i prekin drejtpërdrejt.
Në fund të sesionit, “pema e zgjidhjeve” mbeti e mbushur me dëshira të vogla dhe shqetësime serioze. Nga nevoja për një kondicioner në klasë deri te kërkesa për ndaljen e bullizmit dhe dhunës, fëmijët treguan se, kur dëgjohen, dinë të thonë jo vetëm çfarë i shqetëson, por edhe çfarë duhet të ndryshojë.
Në këtë mënyrë, mbështetja e BE-së për kulturën dhe edukimin nuk kufizohet vetëm në financimin e një punëtorie. Ajo krijon hapësira ku fëmijët dhe të rinjtë mund të zhvillojnë idetë e tyre, të dëgjohen dhe të përfshihen në diskutimet për të ardhmen e komunitetit të tyre.