Rahoveci ishte ndalesa e radhës e festimeve për Ditën e Evropës, ku rreth 30 çiklistë nga qytete të ndryshme të Kosovës iu bashkuan një shëtitjeje përgjatë Rrugës së Verës, rrugë e financuar nga Bashkimi Evropian.
Aktiviteti u organizua nga Bashkimi Evropian në Kosovë, në partneritet me Marakli t’Biciklave dhe Kosova Bike, duke bërë bashkë çiklistë dhe grupe çiklistësh në një ditë që ndërthurte rekreacionin, promovimin e jetesës së shëndetshme dhe kujdesin për mjedisin.
Përmes kësaj shëtitjeje panoramike, pjesëmarrësit patën mundësi të përshkonin peizazhet e vreshtave dhe hapësirat e hapura që e karakterizojnë Rahovecin, një zonë e njohur për traditën e saj verarie dhe për Rrugën e Verës, e mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Përtej aktivitetit sportiv, ngjarja shërbeu edhe si një mënyrë për të vënë në pah rezultatet e mbështetjes së BE-së në komunitetet rurale, përmes investimeve që krijojnë hapësira ku njerëzit mund të mblidhen, të eksplorojnë dhe të njihen më nga afër me natyrën, kulturën dhe potencialin lokal.
Suhel Ahmeti nga Kosova Bike tha se qëllimi i aktivitetit ishte rritja e vetëdijesimit për përdorimin e biçikletës si mjet rekreativ dhe sportiv, por edhe si mënyrë e dobishme për mjedisin.
“Qëllimi i aktivitetit është me e rritë vetëdijesimin sa më shumë që të përdoret çiklizmi si mjet rekreativ e sportiv për të mirën e ambientit. Ka çiklistë nga anë e mbanë Kosovës që duan me u bashku në këtë manifestim. Është një ndjenjë shumë e mirë, sepse kjo tregon që edhe Kosova ka çiklistë që e duan çiklizmin dhe duan me e rritë ndërgjegjësimin që sa më shumë qytetarë me e përdorë biçikletën si mjet transporti, që ka të mira për shëndetin dhe për me e mbrojtë natyrën,” tha Ahmeti.
Njëri nga pjesëmarrësit, Gëzim Krasniqi, tha se kishte ardhur nga Fushë Kosova për t’iu bashkuar kësaj shëtitjeje dhe për ta festuar Ditën e Evropës së bashku me çiklistët e tjerë. Ai tregoi se kishte përshkuar 41 kilometra për të marrë pjesë në aktivitetin e mbajtur në Rahovec.
Në aktivitet mori pjesë edhe Shenaj Mani, e cila, së bashku me çiklistët e tjerë të Pro Bike, kishte çikluar nga Prizreni. Ajo tha se, përveç festimit të Ditës së Evropës, pjesëmarrja e tyre kishte për qëllim edhe promovimin e çiklizmit në përgjithësi.
Shëtitja përcolli një mesazh më të gjerë për rëndësinë e sportit dhe aktiviteteve në natyrë si mënyrë për të afruar njerëzit, për të promovuar jetesën e shëndetshme dhe për të nxitur kujdesin ndaj mjedisit.
Si partneri më i fuqishëm i Kosovës, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm, mirëqenien mjedisore dhe krijimin e mundësive të reja për komunitetet lokale.
BE-ja në Kosovë ka organizuar aktivitete të ndryshme sportive, kulturore dhe edukative në kuadër të Ditës së Evropës përgjatë muajit maj në komuna të ndryshme në mbarë Kosovën.