Binance Online, ngjarja globale virtuale e organizuar nga Binance më 13 maj, mblodhi më shumë se 680 mijë shikues në një program mbi katërorësh kushtuar të ardhmes së kriptos, financës digjitale dhe teknologjisë blockchain.
Ngjarja, e transmetuar live përmes Binance Square, solli në një vend përfaqësues të industrisë së kriptos, financës, blockchain-it dhe teknologjisë, përfshirë emra nga BlackRock, Ripple, Solana Foundation, Blockstream, Coin Bureau dhe organizata të tjera.
Gjatë programit, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjonin bashkë-CEO-t e Binance, Yi He dhe Richard Teng, themeluesin e Binance, Changpeng Zhao, si dhe përfaqësues nga organizata dhe kompani si BlackRock, Ripple, Solana Foundation, Blockstream, Messari, CoinMarketCap, DefiLlama, BNB Chain dhe The Block.
Binance Online tërhoqi interesim të madh nga audienca globale, me më shumë se 680 mijë shikime gjatë transmetimit live në Binance Square dhe pothuajse 65 mijë komente gjatë ngjarjes. Interesimi i lartë tregoi nevojën në rritje për diskutime më të thelluara rreth zhvillimeve që po formësojnë fazën e ardhshme të industrisë së aseteve digjitale.
Ngjarja u hap nga Yi He dhe Richard Teng me një diskutim mbi ambicien afatgjatë të Binance për të ndihmuar zhvillimin e industrisë nga rreth 300 milionë përdorues aktualë në deri 3 miliardë përdorues në nivel global.
“Nëse dëshiron të jesh kompania më e mirë në botë, duhet të mendosh në mënyrë të guximshme. Kur vendos një objektiv të madh, i gjithë ekipi mendon se si ta realizojë atë. Tre miliardë përdorues do të thotë se nuk jemi më vetëm një bursë, por po ndërtojmë infrastrukturë financiare për mbarë botën”, tha Yi He.
Richard Teng theksoi rëndësinë e kriptovalutave në zgjerimin e qasjes në shërbime financiare.
“Udhëtoj në shumë vende të botës, përfshirë tregje në zhvillim, dhe shoh se rreth 1.4 miliardë njerëz vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga shërbimet financiare. Kjo është një sfidë që duhet zgjidhur. Kripto ekziston pikërisht për të adresuar probleme të tilla dhe për këtë arsye ne besojmë fuqishëm në lirinë globale të parasë”, tha Teng.
Pas pjesës hapëse, Richard Teng zhvilloi një diskutim me Lily Liu dhe Brad Garlinghouse në panelin “Epoka e evolucionit”, ku u diskutua rritja e tregut të stablecoin-eve, tokenizimi i aseteve të botës reale, afrimi i financës tradicionale me kripton dhe rëndësia e qartësisë rregullatore për adoptimin më të gjerë të aseteve digjitale.
Një tjetër panel, “Ku po lëviz kapitali i zgjuar?”, bëri bashkë Chamath Palihapitiya, Changpeng Zhao dhe Anthony Pompliano. Diskutimi u fokusua te trendet që pritet të ndikojnë ciklin e ardhshëm të inovacionit, me vëmendje të veçantë te ndërthurja mes inteligjencës artificiale, kriptos dhe infrastrukturës së botës reale, duke përfshirë energjinë, fuqinë kompjuterike, robotikën, pagesat digjitale dhe asetet e tokenizuara.
Ngjarja u mbyll me një diskutim mes Rob Goldstein dhe Kaiser Ng mbi tokenizimin dhe të ardhmen e tregjeve të kapitalit. Biseda u përqendrua te roli në rritje i infrastrukturës blockchain për institucionet e mëdha financiare dhe transformimi i produkteve financiare.
“Nëse pyesni drejtuesit e BlackRock nëse sasia e aseteve që do të ruhen në kuleta digjitale do të rritet, besoj se të gjithë do të përgjigjeshin po. Për këtë arsye është e rëndësishme që produktet financiare të ekzistojnë edhe në formë të tokenizuar”, tha Rob Goldstein.
Gjatë ngjarjes u diskutua gjithashtu për maturimin e industrisë së kriptos, shkallëzimin e rrjeteve blockchain, adoptimin institucional, lëvizjet e kapitalit në teknologjitë e reja dhe rolin në rritje të stablecoin-eve si mjet praktik për përfshirje financiare.
Binance Online u mbështet nga partnerë si Epic, Fusionist, Pixels, Chromia, dhe ZEROBASE. Të ardhurat e plota nga ngjarja do të dhurohen për dy iniciativa arsimore: 35 mijë dollarë për UZH Blockchain Center në Universitetin e Cyrihut dhe 15 mijë dollarë për Geeks Academy në Kirgistan.