Bashkimi Evropian po përgatit një nga ndryshimet më të mëdha në sistemin e pagesave, me synimin për të ulur varësinë nga gjigantët amerikanë si Visa dhe Mastercard. Në qendër të këtij projekti është “euro dixhitale”, një formë parash elektronike e mbështetur nga European Central Bank.
Sipas planit të Komisionit Evropian, euro dixhitale do të funksionojë si para cash në formë elektronike, përmes një portofoli dixhital që mund të përdoret si online ashtu edhe offline. Nëse miratohet deri në fund të vitit 2026, ajo mund të hyjë në përdorim për publikun deri në vitin 2029.
Ky projekt ka edhe një dimension politik. Aktualisht, Visa dhe Mastercard kontrollojnë rreth 61% të pagesave me karta në eurozonë dhe pothuajse të gjitha pagesat ndërkufitare. Për këtë arsye, BE synon të rrisë “sovranitetin financiar” dhe të ketë më shumë kontroll mbi sistemin e pagesave.
Megjithatë, iniciativa ka hasur kundërshtime të forta, sidomos nga bankat. Ato paralajmërojnë se euro dixhitale mund të konkurrojë drejtpërdrejt me sistemin bankar dhe të prishë balancën aktuale të tregut. Edhe platforma Evropiane e pagesave Wero ka ngritur shqetësime për konkurrencën.
Nga ana tjetër, mbështetësit argumentojnë se euro dixhitale është e nevojshme për të ruajtur rolin e parasë publike në epokën dixhitale, ashtu si cash-i sot. Ata theksojnë se pa detyrimin për ta pranuar si mjet pagese, projekti nuk do të ketë sukses.
Debati nuk kufizohet vetëm te bankat. Aktivistët për privatësinë dhe industria e kriptovalutave shprehin frikë se një monedhë dixhitale shtetërore mund të rrisë kontrollin mbi shpenzimet e qytetarëve.
Fati i projektit tani varet në masë të madhe nga procesi në Parlamentin Evropian, ku ka ndasi të forta politike. Megjithatë, negociatat po vazhdojnë dhe synimi mbetet miratimi përfundimtar i legjislacionit deri në fund të vitit 2026./Përshtati nga Euronews, ekofin.al