Në kushte normale, mosprania politike e Thaçit për thuajse gjashtë vjet do të duhej të kishte sjellë më pak jargavitje nga kundërshtarët egërsira, më pak diarre verbale e më pak fiksime. Përçudnisht, nën pushtetin e VV-së dhe anekseve nga LDK-ja, Thaçofobia u bë e kudondodhur si frymë. Frikë nga mosprania e Thaçit, frikë poashtu nga prania e tij. Si konsolidohen në një këto kundërshti? Në njërën anë, naltohet një trashëgimi e madhe politike e historike e shtetndërtimit e lidhur vetëm e vetëm me Thaçin. Ajo u vlerësua nga secila administratë amerikane, hem republikane, hem demokrate. Karshi saj hapet si hon i thellë trashëgimia e gjashtë viteve albinkurtizëm me izolim ndërkombëtar, theqafje e bunkerizim. Dhe poshtë atje, në një kat përdhesë, tre-katër Gecë me zero të mbërrime. Me kë të bëhemi?
Col Mehmeti
Kur edhe pak javë do të bie gongu në Hagë, Thaçofobia edhe njëherë e nxori kryet e shëmtuar.
Thaçofobia gjithëherë ka qenë ajo e hijeve dhe pusive.
E tillë është puna e manipulimeve algoritmike dhe fushatave hibride që nat’ e ditë qesin batare mbi njeriun që e përfaqësoi UÇK-në dhe burrështetasin me të cilin lindi republika.
Autorësia e Thaçofobisë gjithmonë e kërkonte anonimatin dhe mënyrën incognito të të vepruarit.
Por në udhëkryqin e madh të jetës ka vend për ata që guxojnë me emër e mbiemër e jo për anonimët që vishen tebdilë me profile të rreme apo mbrohen me identitete gjykate.
Erdhi një kohë kur Thaçofobia nuk shtyhej më përpara me pësht-pështe, letra anonime e dëshmitarë rrenca.
Asaj i duhej njëfarë legjitimiteti zyrtar, ndaj ky është psehu që skripta të tilla u vihen përpara edhe deputetëve të caktuar.
E mbrama, por jo e fundit, ishte një copë e shkruar diku në një odë dhe e lexuar nga Fatos Halil Geci.
Me gojën e një ligjvënësi, njerëz që fshihen pas tij, i dëshironin dënim kapital udhëheqësit politik të UÇK-së dhe lexuesit të Deklaratës së Mëvetësisë.
Krejt zemërata publike ishte e kuptueshme.
Kjo copë fjalimi ishte një përmbajtje toksike si prodhim i mendjes provinciale që nuk di kufij e as nuk njeh njerëzillëk.
Ishte një mezilexim që me zahmet të madh dekodonte tekstin e shkruar nga një dorë tjetër.
Dhe, hajmedet, një korrier si ky mban grada akademike dhe me to kërcen si kikirez maje plehut social.
Le ta bëjmë një vërejtje në kurriz të sedrës e krenarisë së secilit prej nesh.
Te një pjesë e madhe e familjeve shqiptare në Kosovë, shkrimi si ide e si praktikë kurrë nuk ka bujtur.
I vetmi shkrues në qindra mijëra shtëpi ka qenë ai ustahu që i mori dimensionet e dyerve dhe dritareve.
Te një pjesë e madhe familjesh, e vetmja mënyrë ligjërimi ose muhabet ndër vite ka qenë dhe është i sojit: “Kam ni…”, “M’ka thanë…”, “Filani i ka ni tu thanë…”
Po kaq edhe kontributi i tyre në luftën për çlirim e shtet – një mani perverte për të përfolur të tjerët, për të mistifikuar.
Si mund të shpjegohet ndryshe kjo pos si fakt që subjekti në kohën kur kërkohej determinancë ishte larg çfarëdo kontributi shoqëror.
Në një botë të bythëpraptë si kjo në ditët tona, njerëzve të hijeve u hapet udha që të shpërfytyrojnë gjithçka të mirë e të mbarë që pati lufta çlirimtare dhe shtetndërtimi.
Përtej analfabetizmit funksional të një deputeti
Për rastin e shëmtuar të skionit të Gecëve, kushdo që e invokon analfabetizmin funksional qëllon në shenjë.
Tashmë është bërë përjetim i shpeshtë i yni tek dëgjojmë e shohim deputetë të partisë në pushtet që manifestojnë sheshazi paaftësi për kuptim gjatë leximit (reading comprehension).
Megjithatë, këtu ka diçka tinëzisht paradoksale.
Si është e mundur që, përkundër një këso përqindje të tutshme analfabetizmi funksional, një fabrikë e tërë shoqërore vazhdon të funksionojë?
Sipas kanoneve pedagogjike, me analfabetizëm funksional përshkruhen aftësitë e leximit dhe shkrimit që janë të pamjaftueshme për përditshmërinë sociale a kryerjen e detyrave të punës që kërkojnë aftësi leximi përtej nivelit themelor.
Në gjuhët me shqiptim fonemik si shqipja – ku drejtshkrimi përbëhet nga grafema që përkojnë përpikmërisht me fonema – analfabetizmi i tillë merr formën e të lexuarit të ngadaltë dhe paaftësisë për të përdorur fjalorë a doracakë të shkruar.
“Qashtu, Qashtu…”
Por pyetja që i sfidon këto përkufizime është se si u bë që sentimente të tilla kundër UÇK-së dhe Thaçit të jenë formuar e shpërndarë kaq efektivisht e kaq në masë të madhe?
Si anekdotë rasti mendja më shkon te një ngjarje që e tregonte kleriku nga Kërçova, Toma Nikolov (1863-1946).
Te libri i tij memoaristik ‘Kujtime nga e kaluara ime’ (Spomeni ot moeto minalo), ai rrëfen sesi më 1908 shkoi në Dibër dhe aty malësorët e mbledhur e dëgjonin njëfarë myftiu që mbahej si më i dituri i tyre.
“Myftiu e mrekulloi secilin me fjalimin e tij. Kurdo që fliste me një shqipe të qartë, shqiptarët thoshin ‘Qashtu’”
Kjo dromcë zbulon një anë të errët përtej heroizmit romantik, përtej përditshmërisë e atij që nga jashtë duket si normalitet.
Nëse këta malësorë ishin ata që me kryengritjet e tyre e turpëronin edhe autoritetin e një Perandorie siç ishte ajo osmane, asnjërit prej tyre nuk i bëhej vonë për shkrim e lexim.
Mjaftonte që prijësi a myftiu të ishte llafazan prej goje, dhe njerëzit vetëm sa tundnin kryet me një ‘Qashtu’ si për t’ia pohuar çdo fjalë.
Ky ka qenë substrati kulturor i shoqërisë edhe në vitet e pasluftës, një pohim me ‘qashtu’ për secilin magjistar, demagog a mistigog.
Domethënë, analfabetizmi funksional dhe analfabetizmi cullak nuk i kanë vështirësuar aspak aortat e një kulture që merret me shpifje, me poshtërim e tinëzi.
Pavarësisht se ishin analfabetë që nuk ia bënin vijë shkrimit, ata nuk u ndjenë të mangët që të dilnin vullnetarë para hetuesish e prokurorësh të huaj.
Dhe të shihnin tek incizoheshin e daktilografoheshin me makinë shkrimi dëshmitë e tyre gojore.
Thaçofobët
Ngjan fort dëshpëruese por provincializmi kosovar ka kaq shumë trajta të serbizmit, prej të cilit ka huazuar viktimizimin, vajtimin e shpifjen.
Më 1904, Herbert Vivaldi, gazetar britanik, shkroi për pakicën serbe në Kosovë:
“Sa i herë i takoj serbët më japin përshtypjen e atyre që nguten turrevrap me e gjetë belanë. Biseda e tyre është ajo e një vajtimi të gjatë; ata e kalojnë tërë kohën duke përsëritur tregime vrasjesh, të cilat zor se kanë ndonjë mbështetje; ata gjithmonë ankohen për veten e tyre me shumë fraza të turbullta mbi shtypjen dhe dëshpërimin, por ata janë të paaftë kur dikush u kërkon të dëshmojnë ndonjë detaj në mbështetje të ankesave të tyre. Sjellja e tyre është e fshehtë; ata flasin me pëshpëritje edhe kur nuk është nevoja e ndonjë fshehtësie…” (The Servian Tragedy, 1904, f.245).
Kjo copëz ka një validitet të pabesueshëm edhe për të sotmen.
Thaçofobët kanë qenë dhe janë të njejtë si fshatarët serbë të njëherë e një kohe, aso lahperash që nguten turrevrap për të vajtuar e për të rrëfyer tregime vrasjesh që kurrë nuk i ndajmbathin me diçka në natyrën e faktit.
Kjo frymë ataviste e gjeti reprezentin më besnik te partia e sotme në pushtet, dhe çdo rrëfimi të sajuar i është rezervuar hapësirë dhe audiencë.
Kurti e kishte në dorë që këtyre fëlligështive shoqërore t’iu jepte fund, por e çuditshme është se ai kurdoherë i miratoi ato.
Sepse qëllimi sot e gjithë ditën është për të krijuar një drejtësi jashtëgjyqësore që kërkon ta vrasë më të mirën trashëgimi kombëtare e shtetformuese ndër shqiptarë.
“Eppur si muove” (Megjithatë, ajo lëviz), gjegji zëulët Galilei kur mujsharët e detyruan ta mohonte shkencën e tij heliocentrike.
Mund të presim shekullin gjer në fund, mund edhe të kthehemi te shekulli i kaluar a të hidhemi te i ardhmi, por ajo që nuk mund të mohohet kurrë është se Thaçi spikat si shqiptari më inkadeshent. Pikë!