European Bank for Reconstruction and Development ka publikuar më 26 shkurt një raport ku thekson se Kosova renditet ndër vendet më të prekura nga paketa e re e tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shtetet e Bashkuara kanë aplikuar një paketë të re tarifash prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet, e cila ka hyrë në fuqi më 24 shkurt. Sipas raportit të EBRD-së, 29 vende në rajonet ku operon kjo bankë tashmë përballen me rritje të tarifave, ndërsa mesatarisht tarifat e importeve amerikane për këto vende janë rritur me 0.3 pikë përqindjeje.
Raporti thekson se rritjet më të mëdha janë regjistruar në Armeni, Egjipt, Kenia, Kosovë dhe Ukrainë. Për këto vende, rritja e tarifave varion nga +3.7 deri në +4.8 pikë përqindjeje, duke i vendosur ato ndër ekonomitë më të goditura nga masa e re tregtare.
Sipas të dhënave të publikuara, mesatarisht tarifat e importeve të SHBA-së për vendet ku operon EBRD-ja janë rritur nga 14.6 në 15 për qind. Kjo rritje pritet të shtojë presionin mbi eksportuesit, përfshirë edhe ata nga Kosova, në një kohë kur ekonomia globale po përballet me sfida të shumta, përfshirë inflacionin, kostot e larta të financimit dhe pasigurinë në tregtinë ndërkombëtare.
Ekspertët vlerësojnë se ndikimi konkret për Kosovën do të varet nga struktura e eksporteve drejt tregut amerikan dhe nga aftësia e bizneseve vendore për të diversifikuar tregjet e tyre.
Raporti i plotë i EBRD-së analizon efektet e këtyre masave në rajonet ku banka operon, duke paralajmëruar për rritje të kostove dhe sfida shtesë për konkurrueshmërinë e vendeve eksportuese.