[location-weather id="860"]

Arlen Qinami nga Wolt: Nuk do të ndalemi derisa ta bëjmë komplet Kosovën ngjyrë blu

Në episodin e radhës të “Kosovo Talks”, i ftuar ishte Arlen Qinami, Drejtues i Shitjeve në Wolt për Kosovë dhe Shqipëri, i cili foli për zgjerimin e platformës në Kosovë, lansimin në Gjilan dhe interesimin e bizneseve lokale për t’u bërë pjesë e Wolt.

Qinami tha se rritja e Wolt në Kosovë ka ardhur natyrshëm, pas kërkesës së madhe të qytetarëve për porosi më të shpejta dhe shërbime që ua lehtësojnë përditshmërinë.

“Lançimi i Wolt në Kosovë ka qenë një nga storiet tona të suksesit globalisht. Qytetarët e Kosovës e kanë përqafuar shumë shpejt Wolt-in, sepse janë shumë të hapur ndaj gjërave që ua bëjnë jetën më të thjeshtë”, tha Qinami.

Ai tregoi se Wolt tashmë është lansuar edhe në Gjilan, duke e bërë këtë qytetin e katërt në Kosovë ku platforma është prezente, pas Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajit.

“Kemi lansuar Gjilanin. Është qyteti i katërt pas Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajit, por nuk do të ndalemi derisa ta bëjmë komplet Kosovën ngjyrë blu”, u shpreh ai.

Duke folur për zgjerimin në Gjilan, Qinami tha se vendimet për hyrje në një qytet të ri nuk bazohen vetëm në madhësinë e tij. Sipas tij, Wolt shikon ritmin e qytetit, gatishmërinë e qytetarëve për shërbime digjitale dhe cilësinë e partnerëve potencialë.

Ai tha se Gjilani i plotësonte kushtet që Wolt kërkon para se të hyjë në një qytet të ri.

“Kam qenë vetë disa herë në Gjilan dhe mund të them që jam surprizuar. Kishte një gjallëri të jashtëzakonshme dhe bizneset ishin goxha të investuara mirë. Gjilani i bëri check të gjitha box-et që Wolt kërkon për të hapur një qytet”, tha Qinami.

Në podcast, ai foli edhe për dallimet në mënyrën se si qytetarët porosisin në qytetet ku Wolt operon. Sipas tij, Prishtina dhe Ferizaj kanë më shumë porosi gjatë orarit të drekës, ndërsa Prizreni dallon me porosi më të mëdha, më shumë porosi në grup dhe rritje gjatë fundjavave.

“Prishtina dhe Ferizaj kanë një sjellje të konsumatorit me porosi në orarin e drekës. Ndërsa Prizreni është komplet histori tjetër. Porositë janë më tepër në orarin e darkës, janë porosi të mëdha, porosi në grup dhe ka rritje gjatë fundjavave”, deklaroi ai.

Qinami tregoi se interesimi i bizneseve në Gjilan ka qenë i madh edhe para lansimit zyrtar të Wolt. Ai tha se gjatë zgjerimeve në qytetet e tjera, ekipi shpesh pyetej nga bizneset se kur Wolt do të vinte edhe në Gjilan.

“Nga momenti që u lansuam, ekipit tim të shitjes nuk i ka pushuar telefoni nga bizneset me kërkesa se kur mund ta nisin. Interesimi ka qenë goxha i madh”, tha ai.

Gresa Bajrami dhe Arlen Qinami

Duke folur për punën që ndodh prapa një porosie, Qinami tha se për klientin gjithçka duket e thjeshtë: hyn në aplikacion, bën porosinë dhe e merr në derë. Por sipas tij, pas kësaj qëndron një ekip i madh, teknologji dhe shumë punë që bëhet në prapaskenë.

“Klienti gjithmonë sheh vetëm momentin e fundit. Ai futet, bën porosinë dhe sheh që për 30 minuta, ose në shumë raste edhe më pak, e ka porosinë te dera. Por nuk e di që mbrapa qëndron një kompleksitet shumë i madh”, tha Qinami.

Në intervistë u fol edhe për mënyrën se si Wolt po shihet gjithnjë e më shumë si diçka më e madhe se një aplikacion për porosi ushqimi. Qinami tha se platforma po shkon drejt konceptit të një qendre tregtare digjitale në xhep.

“Në fillim ka qenë përshtypja që Wolt është vetëm një platformë për ushqim, por në të vërtetë Wolt ofron produkte nga supermarketet, kozmetika, farmacia e deri te shumë produkte të tjera. Është realisht një qendër tregtare që është vetëm një klik larg”, tha ai.

Në fund, Qinami foli edhe për shitjen, duke thënë se një shitës i mirë nuk është domosdoshmërisht ai që flet më shumë, por ai që di të dëgjojë dhe të kuptojë klientin.

“Shumë njerëz mendojnë që të jesh një shitës i mirë duhet të jesh një folës i mirë, një orator i mirë. Por në të vërtetë, një shitës i mirë aftësinë më të mirë e ka të dëgjuarit”, përfundoi Qinami.

Shiko Podcastin e PLOTË

WhatsApp do të drejtohet nga themeluesi i një startup-i indian, ndërsa Will Cathcart tërhiqet

Të ngjajshme

WhatsApp do të drejtohet nga themeluesi i një startup-i indian, ndërsa Will Cathcart tërhiqet