Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar me injorimin që Qeveri anë detyrë po ia bën kërkesës se ShBA-së për projektin e gazit.
Përmes një komunikate për media, kjo odë ka vlerësuar se Kosova duhet ta ndjek rrugën e vendeve të rajonit të cilat janë zotuar për t’u bërë pjesë e kësaj infrastrukture.
Sipas OEA, diversifikimi i burimeve të energjisë duhet të jetë prioritet i Kosovës.
“Në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike. Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës. Veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, është thënë në komunikatë, duke dhënë detaje tjera.
“Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës”.“Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, është thënë në komunikatë.