Policia britanike ka arrestuar tre persona në Londër dhe Uells, mes tyre edhe partnerin e një deputeteje të Partisë Laburiste, nën dyshimin se kanë ndihmuar një shërbim të huaj inteligjence të lidhur me Kinën.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen për shkelje të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023, që lidhet me bashkëpunimin me shërbime të huaja inteligjence. Në mesin e të ndaluarve është David Taylor, bashkëshorti i deputetes laburiste Joani Reid, i cili u arrestua në Londër nga njësitë kundër-terrorizmit.
Dy persona të tjerë, të moshave 68 dhe 43 vjeç, u arrestuan në zona të ndryshme të Uellsit. Policia ka kryer gjithashtu kontrolle në disa adresa në Londër, Cardiff dhe në Skoci, në kuadër të hetimit për sigurinë kombëtare.
Deputetja Joani Reid ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me aktivitetet e bashkëshortit të saj dhe se nuk ka dijeni për ndonjë shkelje të ligjit. Ajo theksoi se nuk është e përfshirë në bizneset e tij dhe kërkoi që familja e saj të respektohet gjatë hetimeve.
Autoritetet britanike theksojnë se nuk ka rrezik të menjëhershëm për publikun, ndërsa hetimet për ndërhyrje të mundshme të huaj në demokracinë britanike vazhdojnë.
Rasti ka ngjallur reagime në politikën britanike dhe vjen në një kohë kur qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar për rritje të aktiviteteve të spiunazhit dhe ndikimit të huaj në vend.